spot_img
spot_img

BE-ja mbështeti mbi 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë përmes pakos 75-milionëshe për energjinë

Më shumë se 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë kanë përfituar nga Pakoja e Mbështetjes për Energjinë, e financuar nga Bashkimi Evropian, me vlerë prej 75 milionë eurosh.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë bërë sot një bilanc të rezultateve të kësaj pakoje.

Ai theksoi se pakoja prej 75 milionë eurosh përfaqëson vetëm një pjesë të investimeve të BE-së në Kosovë, të cilat sipas tij, që nga viti 1999 kanë tejkaluar 3.7 miliardë euro.

Schuebel tha se BE-ja mbetet partnerja më e fortë dhe më e besueshme e Kosovës, si dhe ofruesja më e madhe e ndihmës financiare.

“Pakoja prej 75 milionë eurosh përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të më shumë se 3.7 miliardë eurove që BE-ja ka investuar në Kosovë që nga viti 1999, si partnerja më e fortë dhe më e besueshme e Kosovës dhe ofruesja më e madhe e ndihmës financiare”, tha Schuebel.

Sipas tij, pakoja ishte një dëshmi konkrete e solidaritetit të Bashkimit Evropian me Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e prezantuar si përgjigje ndaj krizës globale energjetike të shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Duke folur për të ardhmen, ambasadori theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, si dhe të investimeve të përbashkëta.

“Duke parë drejt së ardhmes, bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe investimet e përbashkëta do të jenë thelbësore për avancimin e tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së ripërtëritshme dhe forcimin e sigurisë së saj energjetike afatgjatë”, tha Schuebel.

TË FUNDIT

TË FUNDIT