23.4 C
Mitrovice
E martë, 24 Shtator, 2024
spot_imgspot_img

Kurti për Donald Trumpin: Kam të përbashkëta me administratën e tij, punoj me këdo që e fiton Shtëpinë e Bardhë

Kosova planifikon të ushtrojë sovranitet të plotë mbi punët e saj, dhe do t’i rezistojë presionit nga perëndimi për kompromis me Serbinë, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për “Financial Times”. Mes tjerash, ai aty flet për veriun, urën e Ibrit, Asociacionin dhe rikthimin e mundshëm të Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuata të Amerikës.

Duke mbrojtur vendimet e fundit, kryeministri Kurti ka thënë se politikat e tij “nuk janë kundër serbëve, por kundër aktiviteteve ilegale të Serbisë në Kosovë”.

Ndërkohë, popullata serbe në Kosovë u ka rezistuar përpjekjeve të Prishtinës për t’i detyruar ata të pranojnë shtetësinë e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe dokumentet e lëshuara nga autoritetet e saj.

Në anën tjetër, siç shkruan mediumi, BE-ja ka bërë thirrje për zgjidhje mes Beogradit e Prishtinës, duke i kërkuar Kurtit të përmbahet nga veprimet e njëanshme.

Por, “kryeministri nuk përkulet”, duk thënë për “FT” se zgjidhja e çështjeve brenda Kosovës është “çështje e brendshme dhe se nuk ka sfida të sigurisë që nuk mund t’i menaxhojnë e kontrollojnë”, transmeton Nacionale.

Tutje, Kurti ka folur edhe për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, duke u shprehur:

“Ne duam një urë normale. Një urë normale është një urë e hapur; të vetmit që kënaqen me një urë të mbyllur janë ata që ende ëndërrojnë ndarjen e Kosovës. Evropa ka shembur mure, nuk është në rregull të insistojnë në një urë të mbyllur”.

Kurti, i cili ballafaqohet me zgjedhje në shkurt, mohoi se po synon që të shënojë pikë politike në mesin e shqiptarëve shumicë të Kosovës. “Për mua, kjo është punë e zakonshme” – tha ai.

Duke mbrojtur strategjinë e tij, Kurti ka përmendur se Beogradi po mban forca të armatosura pranë kufirit me Kosovën dhe ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare që garanton sovranitetin e Prishtinës.

“Sfidat më të rënda të sigurisë në këtë shekull ndodhën gjatë mandatit tim.” – citohet se ka thënë tutje ai.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë:

“Unë dua që askush të mos jetë i privilegjuar dhe për këtë arsye askush të mos diskriminohet” – tha kryeministri. “Nuk mund të ketë super-pakicë siç dëshiron Beogradi”.

“Financial Times” thekson se marrëdhëniet Kosovë-ShBA mund të përkeqësohen në rast se Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor të këtij viti.

Kurti ka thënë se do të punojë me këdo në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se “ka gjuhë të përbashkët me një administratë potenciale të Trump, duke pëfshirë këtu thirrjet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në Evropë”, transmeton Nacionale.

Këtu vlen të theksohet se para pak muajve, Kurti kishte thënë se rikthimi i mundshëm i Trump ka shqetësuar liderët evropianë, kyresisht, për shkak të politikave të tij.

Në fund, ai ka përsëritur se “përkedhelja ndaj Serbisë” është gabim.

“Siguria në rajon është viktimë. Është Shumë e rëndësishme që BE-ja të jetë e qartë, e vendosur dhe e shpejtë”.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT