23.2 C
Mitrovice
E martë, 24 Shtator, 2024
spot_imgspot_img

Osmani: Afrim Bunjaku ra dëshmor për të treguar se liria s’ka çmim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë ka thënë se Afrim Bunjaku ra dëshmor, duke treguar se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm.

Në reagimin e saj, e para e shtetit shkruan se lira nuk ka çmim, dhe se Kosova do të mbetet e pandashme.

“Sot një vit, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm. Se liria nuk ka çmim. Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm! Sot e përgjithmonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

Radoiçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest.

Dy javë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë.

/Reporteri.net/

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT