Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ambasadori amerikan ka folur për çështjen e urës së Ibrit dhe ka shtuar se cilësia e partneritetit nuk është ajo që shpresonte SHBA-ja.
Radio Evropa e Lirë: Përse kjo urë është kaq e rëndësishme kur dihet që urat e tjera, që janë disa metra më larg, janë të hapura për këmbësorë dhe për qarkullim të automjeteve?
Jeffrey Hovenier: Mendoj se për këtë gjë duhet ta pyesni Qeverinë e Kosovës. Unë nuk kam përgjigje të mirë për të.
Radio Evropa e Lirë: A e konsideroni ende kryeministrin Kurti partner tuajin? A ju konsideron ai juve partner?
Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se si na konsideron ai. Mund të them vetëm se nga këndvështrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa mënyra.
Në disa çështje kemi partneritet të mirë dhe të ngushtë. Kemi punuar së bashku në disa gjëra të rëndësishme për të përmirësuar ekonominë e Kosovës dhe jemi përpjekur për ta ndihmuar vendin që të krijojë një sistem ekonomik që iu ofron mirëqenie më të mirë. Kemi arritur përparim të njëmendtë me autoritetet e shtetit të Kosovës për t’i ndihmuar institucionet mjaft të reja të Qeverisë, që të jenë më efikase në punën e tyre dhe për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
Por, për këto çështje, më duhet të them se jemi sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij, dhe më duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte për disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si merret me çështjen e veriut dhe me atë të dialogut.
Këtë nuk e them vetëm unë. Para pak kohësh, këtu ishte një nënsekretare jona e Shtetit, e cila foli për nevojën dhe shpresën tonë për bashkërenditje dhe bashkëpunim më të mirë. Jim O’Brien, ndihmës-sekretari ynë për Evropën, ka folur publikisht për këtë.
Ne patëm një moment të jashtëzakonshëm dhe do të marr pak kohë që ta lexoj një pjesë të deklaratës, kur hiç më larg se javën e kaluar, pas aksioneve të pakoordinuara kundër zyrave të Postës në veri, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha: “Jemi të shqetësuar nga vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara të udhëheqësisë së Kosovës. Ne besojmë se ato i vënë në rrezik mundësitë që ne kemi ndihmuar që Kosova t’i krijojë. Nëse shikoni, që nga pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqimisht integrimin e saj të plotë në bashkësinë ndërkombëtare si një demokraci sovrane dhe shumetnike, por për ta realizuar këtë vizion, i cili është një vizion që ne e ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm politikë të Kosovës për masat që fuqizojnë paqen dhe prosperitetin në vend, që e çojnë Kosovën përpara në rrugëtimin euroatlantik. E nxisim këtë Qeveri të Kosovës që të kthehet – – gjë që sugjeron se nuk jemi në atë pikë tani – në një angazhim të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, me NATO-n dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”.
“Shqetësohem se kah po shkon kjo…”
Radio Evropa e Lirë: Sa kohë do të prisni që Kosova të kthehet? Sa kohë, më lejoni të them, do të toleroni që të sfidoheni?
Jeffrey Hovenier: E dini, Kosova është shtet sovran dhe ne e pranojmë si të tillë. Kështu që nuk e di nëse është çështje e tolerancës. Mendoj se më shumë ka të bëjë me cilësinë e partneritetit tonë. Kemi mëdyshje se sa e përkushtuar është kjo Qeveri për partneritet me ne.
Kur flasim me një Qeveri për gjërat që mund të bëjë të cilat shtojnë rrezikun për ushtarët tanë dhe nuk jemi të bindur se po marrim një përgjigje efektive, kjo ndikon në pikëpamjen tonë se deri në çfarë mase kjo Qeveri po i merr parasysh shqetësimet tona, sa e përkushtuar është kjo Qeveri ndaj partneritetit që duam të kemi.
Radio Evropa e Lirë: A po shqyrtoni ndonjë pasojë?
Jeffrey Hovenier: Shikoni, shqetësohem se kah po shkon kjo. Dua të them, në afat të gjatë, Shtetet e Bashkuara duan të shohin, dhe populli i Kosovës dëshiron ta shohë Kosovën duke përparuar drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike. Dëshirojmë ta shohim Kosovën në Këshillin e Evropës. Dëshirojmë ta shohim Kosovën në BE. Dëshirojmë ta shohim në NATO.
Rruga për ta arritur këtë është duke punuar së bashku me ne, me partnerët tanë evropianë, me prijësit e BE-së, me prijësit e NATO-s. Por, vetëm një shembull. Hiç më larg se javën e kaluar, me këtë aksion të pakoordinuar kundër Postës, e patë se si BE-ja, SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, të gjitha i ngritën shqetësimet e tyre. Shqetësohem se veprimet e tilla ulin oreksin dhe zbehin zotimin – jo zotimin – por, entuziazmin për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj.



