Në fund të majit Policia e Kosovës do të zhvillonte një aksion në veri, ku do të mbylleshin disa njësi të të ashtuquajturës “Banka Postare Kursimore”. Partnerët ndërkombëtarë, nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri te Bashkimi Evropian, do të reagonin me tone të ashpra në lidhje me këto zhvillime.
Zëdhënësi evropian, Peter Stano, reagimin do ta shpërndante edhe në llogarinë e tij në “X”, por do të përballej me akuza të rënda nga hiç më pak se deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Më poshtë, po ua risjellim në vëmendje komentet e bëra nga deputetët e VV-së:
“Z.Stano, ju lutem vini re që ka njerëz këtu që ende besojnë që puna juaj kryesore është ajo e zëdhënësit në EEAS, dhe jo e një lobuesi të paguar nga Beogradi” – ka komentuar Arbëreshë Kryeziu Hyseni.
Një koment të ngjajshëm, poshtë postimit të Stanos e ka bërë edhe deputeti tjetër i VV-së, Dimal Basha:
“Mos harroni ju lutem që njerëzit ju shohin ende si zëdhënës i EEAS, dhe jo si lobues për Vuçiqin”.