25.5 C
Mitrovice
E shtunë, 18 Maj, 2024
spot_imgspot_img

ZRRE i hap rrugë shtrenjtimit të energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ia ka miratuar kërkesën KEDS-it rreth shqyrtimit të jashtëzankonshëm të tarifave të energjisë sot. Nga ky miratim, do të hapet mundësia për rritje të tarifave të energjisë elektrike edhe para përfundimit të këtij viti.

Në një njoftim për media nga ZRRE-ja, është thënë se ky miratim i shqyrtimit të tarifave për KEDS-in është bërë në mënyrë që të reflektohet në çmimet e ngritura të importit si pasojë e krizës globale të çmimeve të energjisë.

“ZRRE në bazë të mandatit të saj ligjor, ka vendosur të hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm, dhe gjatë këtij procesi do të shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Sipas ZRRE-së, muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë, që ka rezultuar në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit.

Pas faktit se prodhimi vendor nuk mund të plotësojë të gjithë kërkesën për energji elektrike, paraqitet edhe nevoja për import, që sipas kalkulimeve të ZRRE-së do të tejkalojë sasitë e lejuara nga ZRRE gjatë shqyrtimit të rregullt tarifor.

Importi shtesë paraqet edhe kosto shtesë për operatorët, të cilët nuk janë parashikuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin relevant tarifor 2021.

“ZRRE në kuadër të këtij procesi do të bëjë analiza dhe kalkulime të bazuara në të dhënat e disponueshme dhe do të analizojë të gjitha rrethanat e krijuara në sektorin e energjisë në lidhje me kostot e sistemit si dhe në lidhje me menaxhimin e sigurisë së furnizimit”, vazhdon njoftimi.

Gjithashtu, nga ZRRE-ja kanë bërë të ditrur se paralelisht do të analizohet edhe mundësia e rishikimit të strukturës së tarifave me pakicë të energjisë elektrike, ku do të shihet mundësia e aplikimit të mekanizmave tjerë për përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe të menaxhimit të kërkesës. Kjo i bie që para se të përfundoj ky vit, do të mund të shtrenjtohet energjia për konsumatorët me pakicë.

“ZRRE do të sigurohet që shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave të i nënshtrohet konsultimit me konsumatorët, kompanitë e licencuara, qeverinë dhe palët e tjera të interesit për të siguruar gjithpërfshirje, transparencë dhe mbrojtje të interesave të konsumatorëve”, përfundojnë ata.

Tutje, sot gjatë senacës parlamentare të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua rreth krizës energjetike, ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se aktualisht konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është shumë i madh por se edhe çmimi i energjisë është më i liri në rajon.

Ai tutje përsëriti se kriza e ka përfshirë gjithë rajonin dhe më gjerë dhe se shtetet po ndërhyjnë në prodhim, konsum dhe tregun e energjisë elektrike.

“Ne në mbledhjen e fundit të qeverisë e kemi adresuar krizën energjetike e cila po na troket në derë, mirëpo ne megjithatë jemi të fundit që po na kaplon kriza. Rajoni ynë, por edhe më gjerë, një pjesë e madhe e kontinentit, ndodhen tash e shumë kohë në krizë energjetike. Shtetet po ndërhynë si rrallë më parë në prodhimin, konsumin dhe tregun energjetik. Çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme, për derisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 vent për kilovat/orë. Pra, është e vërtetë që po blejmë shtrenjtë dhe po shesim lirë energji elektrike dhe pa një afat të caktuar”, ka thënë Kurti./Buletini Ekonomik

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT