Gjermania duhet të shtojë rreth 100,000 trupa aktive mbi kapacitetin ekzistues prej 62,000 trupash, për të përmbushur objektivat e rinj të NATO-s, të cilët kërkojnë gatishmëri të lartë përballë kërcënimeve të mundshme nga Rusia, ka bërë të ditur Shefi i Ushtrisë gjermane, Alfons Mais, në një dokument konfidencial të parë nga Reuters.
Në letrën drejtuar Shefit të Shtabit të Mbrojtjes, Carsten Breuer, me datë 2 shtator, Mais thekson se:
“Është e domosdoshme që ushtria të bëhet mjaftueshëm e gatshme për luftë deri në vitin 2029 dhe të ofrojë kapacitetet që Gjermania i premtoi (NATO-s) deri në vitin 2035.
”Sipas tij, objektivat janë të paarritshëm me numrin aktual të personelit, i cili përfshin edhe 37,000 trupa joaktive.
Mais bën thirrje për një shtesë prej 45,000 trupash aktive deri më 2029, dhe një tjetër shtesë prej 45,000 trupash për të përmbushur kërkesat e NATO-s deri në vitin 2035. Ai kërkoi gjithashtu 10,000 trupa shtesë për të forcuar mbrojtjen territoriale.
Gjermania ka nisur rritjen e angazhimit ushtarak në Evropën Lindore, përfshirë krijimin e një brigade me 5,000 trupa në Lituani dhe patrullime detare në Detin Baltik për të parandaluar sabotimin nënujor.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes gjermane nuk komentoi mbi përmbajtjen e dokumentit, për shkak të natyrës së tij konfidenciale, por konfirmoi se objektivat e NATO-s janë rishikuar si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Sipas një vlerësimi të parë, Gjermanisë do t’i kërkohen rreth 460,000 forca në total, prej të cilave 260,000 trupa aktive dhe 200,000 rezervistë.
Megjithatë, vendi ende nuk ka arritur objektivin e miratuar në 2018 prej 203,000 trupash aktive, duke qenë aktualisht rreth 20,000 forca nën objektiv, sipas të dhënave të vetë ministrisë.