Një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në vendin e punës.
KEK ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 20:30, ka vdekur Haxhi (Selatin) Gojnovci, punëtor në pozitën “Teknik i Xehtarisë” në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.
Sipas njoftimit në Facebook, Gojnovci ka pësuar aksident derisa ishte duke kryer detyrat e punës dhe po lëvizte në zonën e ekskavatorit. Përkundër ndërhyrjeve, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
I ndjeri ishte pjesë e KEK-ut që nga viti 1985 dhe për më shumë se katër dekada kishte kontribuar në Korporatë.
KEK-u i ka shprehur ngushëllime familjes Gojnovci, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij.
“Për kohën dhe vendin e varrimit, opinioni do të njoftohet sapo të përfundojnë procedurat përkatëse mjeko-ligjore dhe veprimet e tjera të nevojshme nga organet kompetente”, thuhet nga KEK-u.




