Policia e Shqipërisë ka publikuar pamje nga operacioni “Anchor” në Durrës, ku është goditur një skemë e dyshuar e trafikimit të kanabisit nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe Kosovës.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 127 pako me rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC dhe vlerë tregu të përllogaritur në rreth 1 milion euro.
Në pranga kanë rënë tre shtetas kosovarë, T.D., 32 vjeç, L.G., 26 vjeç, dhe B.J., 40 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur H.C. nga Kukësi dhe G.O., shtetas kosovar me banim në Ontario të Kanadasë.
Sipas Policisë, droga sigurohej në Ontario dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në një hapësirë të modifikuar posaçërisht në një automjet të porositur në Kanada. Pas mbërritjes në Shqipëri, dyshohet se ajo shpërndahej edhe në Kosovë.
Gjatë aksionit janë sekuestruar gjithashtu tri automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro para të gatshme.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e rolit të secilit në këtë skemë të dyshuar kriminale.




