Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të protestojnë më 12 nëntor 2026, në shenjë pakënaqësie me nivelin aktual të pagave dhe kërkesat e tyre ndaj menaxhmentit të ndërmarrjes.
Protesta është paralajmëruar nga Sindikata e Re e KEK-ut, ndërsa do të mbahet nga ora 11:00, para zyrave të menaxhmentit të KEK-ut, në Toskanë, në Prishtinë.
Sipas njoftimit të sindikatës, punëtorët kanë dy kërkesa kryesore: ngritjen dhe nivelizimin e pagave për të gjithë punëtorët e KEK-ut dhe realizimin e pagës së 13-të për të gjithë punëtorët e korporatës.
Në vendimin e kryesisë së sindikatës thuhet se protesta është rezultat i mosshqyrtimit dhe mospërmbushjes së kërkesave të punëtorëve, të cilat, sipas tyre, i janë drejtuar menaxhmentit dhe Bordit të KEK-ut më 19 tetor 2026.
Sindikata ka bërë të ditur se protesta do të organizohet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Përmes këtij paralajmërimi, Sindikata e Re e KEK-ut kërkon paga dinjitoze, barazi dhe respekt për punëtorët që mbajnë gjallë prodhimin energjetik të Kosovës.




