Gjermania ka dëbuar 198 persona drejt Kosovës gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, ndërsa numri i përgjithshëm i shtetasve kosovarë të deportuar nga territori gjerman ka arritur në 200, pavarësisht vendit ku janë kthyer.
Sipas të dhënave zyrtare të Qeverisë Gjermane, të publikuara në Bundestag, mes të deportuarve me shtetësi kosovare janë edhe 66 të mitur. Në total, nga janari deri në qershor të këtij viti, autoritetet gjermane kanë kryer 9,663 dëbime të shtetasve të huaj.
Përveç dëbimeve të detyrueshme, 78 shtetas të Kosovës janë larguar vullnetarisht përmes programit REAG/GARP, ndërsa 93 të tjerë kanë përfituar mbështetje financiare nga landet gjermane për kthim. Ndërkohë, programi URA Kosovo ka mbështetur 286 kthime vullnetare.
Të dhënat e publikuara më 5 nëntor tregojnë se Gjermania ka kryer gjithsej 14,324 dëbime gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026. Megjithatë, numri i veçantë i dëbimeve drejt Kosovës për këtë periudhë ende nuk është bërë publik.



