Një burrë është arrestuar pas një incidenti gjatë një fluturimi drejt Skocisë në avionin e easyJet, raporton Sky News.
I dyshuari u largua nga avioni, i cili kishte fluturuar nga aeroporti London Luton sapo zbriti në Glasgow në orën 08:20 të mëngjesit të së dielës.
Në rrjetet sociale po qarkullon një video ku një burrë thotë diçka duke bërtitur për “një bombë”, bashkë me “vdekje Amerikës, vdekje Trump” dhe “Allahu Ekber”, shprehje arabe që do të thotë “Zoti është më i madhi.”
Dy burra e kapin personin në fjalë dhe e shtrijnë në tokë. Policia skoceze tha se është arrestuar një 41-vjeçar dhe është në paraburgim.
Hetimet po vijojnë, është shprehur policia, kurse një zëdhënës tha: “Në këtë moment ne besojmë se incidenti u kontrollua dhe nuk u përfshi askush tjetër. Ne jemi në dijeni të videove që qarkullojnë online dhe po hetohen nga oficerët kundër terrorizmit.”
Kujtojmë që ngjarja ndodhi gjatë një momenti kur presidenti amerikan Donald Trump ndodhet në një vizitë private në Skoci.