Më 5 nëntor të këtij viti bëhet një vit nga vrasja e 25-vjeçares Daorsa Spahijës në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Një vit pas tragjedisë që tronditi familjen e saj, dhimbja mbetet po aq e fortë, ndërsa kujtimi për Daorsën vazhdon të jetojë te njerëzit e saj të afërt.
Në prag të njëvjetorit të vdekjes së saj, një familjare e ngushtë e ka kujtuar 25-vjeçaren me një shkrim prekës të publikuar në rrjetet sociale, duke kërkuar drejtësi për të dhe duke rrëfyer dhimbjen e familjes.
“Daorsa jonë e paharruar, si ndodhi që përfundove në duart e atij që të kërcënoi, të frikësoi dhe ta mori lirinë?”, shkruan ajo.
“Ah, sikur të na kishe treguar… Sikur të më kishe thënë se dikush po ta merrte qetësinë dhe lirinë. Do t’i dilja përpara pa m’u trembur syri. Do të ngriheshim të gjitha gratë e familjes për ty, sepse ne nuk njohim frikë kur duhet ta mbrojmë gjakun tonë”.
Në shkrim përmendet edhe Arbëri (BENI), babai i të resë, të cilit familjarja i drejtohet me dhimbje, duke theksuar se ai do të kishte bërë gjithçka për ta mbrojtur Daorsën.
“Pse nuk i tregove Benit?”, shkruan ajo, duke kujtuar se ai dikur kishte përballuar luftën dhe se do të “rrëzonte çdo mal dhe do të kthente çdo gur”, vetëm që vajza e tij të ishte e lirë, e sigurt dhe pranë familjes.
“Por ti ndoshta heshtje për të na mbrojtur ne. Dhimbjen, frikën dhe kërcënimet i mbajte të mbyllura brenda shpirtit tënd të bardhë”.
Familjarja e ka përshkruar Daorsën si “doktoresha jonë me mantelin e bardhë”, vajzën e mirë dhe “engjëllin” e familjes, duke thënë se dhimbja nuk do të largohet derisa të vendoset drejtësia




