14.8 C
Mitrovice
E premte, 26 Prill, 2024
spot_imgspot_img

Shkruan Musa Preteni: Historia e Mitrovicës është e mangët pa figurat emblematike të luftës së armatosur të viteve të 90-ta

Vendosja e figurave të rëndësishme kombëtare të Mitrovicës në muret e bibliotekës tregon për konceptin që shoqëria dhe institucionet tona kanë për historinë, si diçka e kaluar dhe e largët në kohë

MUSA PRETENI

Mitrovica duhet të mburret me secilin nga ato personalitete të vendosura, dhe që sigurisht duhet të jenë frymëzim për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Historia është lidhshmëri e pashkëputshme e ngjarjeve dhe sakrificave të popullit shqiptar përgjatë historisë. Secila ngjarje historike prodhoi tjetrën në një vazhdimësi të ndërthurur në shekuj.

Secili popull në vorbullën e zhvillimeve historike ka shënuar kulmimin në përmbushjen identitare kombëtare e shtetërore. Andaj çdo tentativë për ta pasqyruar historinë e lavdishme të popullit shqiptar, e në këtë rast të Mitrovicës, pa përfshirjen e figurave të rëndësishme të luftës së fundit të UÇK-së është e mangët.

Kulmimi i përpjekjeve tonë historike është viti 1999, kur përjetuam lirinë pas shumë shekujve të egër të robërisë. Si mund ta prezantosh të kaluarën tënde kombëtare përmes figurave të njohura pa përfshirjen e atyre që i dhanë jetë lirisë pas gjeneratave të tëra të sakrificës dhe vetmohimit për atë pa të cilën njeriu nuk mund të jetë asnjëherë i plotë, LIRINË?

UÇK mbetet formacioni më i suksesshëm politik dhe ushtarak i popullit shqiptar në shekullin 20. Figurave kryesore të saj, që dhanë jetën në kulmimin e aspiratave shekullore për liri, ju takon vendi në murin e bibliotekës së qytetit. Sepse historia e Mitrovicës pa këto figura është e mangët. Djemtë dhe vajzat e reja të Mitrovicës gjetën frymëzimin në gjeneratat e mëhershme, andaj prania edhe e tyre aty e përplotëson idenë e kësaj ndërmarrje, dhe pasqyron realitetin e historisë që shoqëria e institucionet nuk arritën ta prezantojnë asnjëherë të plotë.

Kjo tregon se institucionet tona e shohin historinë si diçka të largët në kohë, që duhet të kalojnë gjeneratat për ta futur në kujtesën kombëtare. Kështu, ne nuk kemi bërë asgjë tjetër veçse ua kemi dhënë mundësinë të tjerëve ta shkruajnë historinë e ta prezantojnë atë sipas interesave të tyre, gjithmonë të shtrembëruar në kurrzin tonë.

Madje jo vetëm kjo, historia jonë na ka ikur pa e dokumentuar e shkruar drejt edhe për shkak të inateve politike. E kaluara jonë është e mbushur edhe me luftë të paskrupullt politike për pushtet e lavdi në kurriz të kombit tonë. Pavarësisht përkatësisë politike, historia duhet të shkruhet drejt, sepse vetëm ashtu i frymëzojmë brezat e tanishëm dhe të ardhshëm, e madje ua pamundësojmë tjerëve ta shtrembërojnë atë si duan.

Secila nga figurat e prezantuara në Mitrovicë ishin frymëzim për gjeneratat e kaluara e për ato që vijnë, por edhe Mehë Uka, Shemsi Ahmeti, Sokol Preteni, Fatime Hetemi dhe secili dëshmor i kësaj komune është frymëzim i sotëm dhe i nesërm për gjenerata të tërë.

Djem e vajza të reja që nuk kishin asgjë më shume se një pushkë në dorën e tyre, vendosën të luftojnë për drejtësinë e mohuar ndër shekuj. Ata me një pushkë në dorë e me besim në shpirt, të pamundurën e bën realitet.

Drejtësia që përçonte pushka e tyre i dha zë Kosovës gjithandej globit.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT