Shtetet e Bashkuara kërkojnë partnerë për të ndërtuar hidrocentralin “Gjerdap 3”, ndërsa Serbia dhe Rumania vazhdojnë konsultimet për projektin.
Hidrocentrali në lumin Danub, i planifikuar të jetë një nga më të mëdhenjtë në rajon, synohet të ndërtohet nga Serbia në koordinim me Rumaninë, pasi investimi është paraparë në kufirin mes dy shteteve.
Uashingtoni është përfshirë zyrtarisht në projekt, pasi Serbia dhe SHBA-ja nënshkruan në vitin 2024 një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjisë.
Eksperti i energjisë në Serbi, Aleksandar Kovaçeviq, thotë se prej dekadash ekziston një interes strategjik i Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e hidrocentraleve të mëdha me pompim-akumulim në Ballkan.
Sipas tij, qëllimi është të rritet stabiliteti i sistemit elektroenergjetik të Evropës dhe të zvogëlohet varësia nga importi i gazit dhe naftës nga Rusia.
“Në këtë mënyrë do të zvogëlohej varësia nga importi i gazit dhe naftës nga Federata Ruse”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria e Serbisë e shpalli ndërtimin e hidrocentralit projekt me rëndësi të veçantë në vitin 2024.
Nga njëra anë, projekti shihet si një alternativë më e qëndrueshme ndaj prodhimit të energjisë nga qymyri, nga i cili Serbia vazhdon të varet në masë të madhe.
Por, nga ana tjetër, ai kritikohet nga një pjesë e ekspertëve.
Kritikat lidhen me faktin se hidrocentrali pritet të ndërtohet në territorin e Parkut Kombëtar “Gjerdap” – zona më e madhe e mbrojtur në lindje të Serbisë – si dhe me koston e lartë të projektit.
Ministria e Energjisë e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me projektin, koston dhe mënyrën e financimit, ndërsa Ambasada e SHBA-së i referoi pyetjet te ministria në fjalë.




