Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka reaguar për situatën politike në vend, duke bërë thirrje për lëvizje përpara dhe bashkëpunim politik.
Mustafa ka thënë se PDK-ja përfaqëson “balancën më të mirë” për një koalicion, ndërsa ka kërkuar që e ardhmja e vendit të ndërtohet përmes veprave dhe rezultateve konkrete.
“Koha për të lëvizur përpara është TANI. Mbi bazën e rrënjëve tona të forta dhe vlerave që na ngritën deri këtu, është koha të shkruajmë kapituj të rinj suksesesh”, ka shkruar Mustafa.
Ai ka thënë se PDK-ja mund të jetë pjesë e një koalicioni që, sipas tij, do të kontribuonte në përkujdesjen dhe normalizimin e shtetit.
“PDK është balanca më e mirë përmes koalicionit për përkujdesje dhe normalizim të shtetit. Të mbrojmë shtetin, të luftojmë tjetërsimin e vlerave të tij dhe të ndërtojmë të ardhmen me vepra, përgjegjësi dhe rezultate konkrete!”, ka deklaruar ai.
Në fund, Mustafa ka bërë thirrje për bashkëpunim mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“VV – PDK bashkë munden”, ka përfunduar ai.




