Rezultati i vendimit ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Gjykata Speciale, mund të sjell tensione të reja me Serbinë, ka shkruara agjencia prestigjioze e lajmeve “Reuters”, duke cituar ekspertë.
Reuters i ka kushtuar një artikull të gjatë ndikimit që mund të ketë vendimi ndaj Thaçit, dy ditë para se Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale ta shpallë atë.
Bashkëbiseduesit e Resuters, kanë thënë se vendimi ndaj Thaçit mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Perëndimit.
“Rezultati i gjykimit ndaj Thaçit mund të ndikojë në marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin, veçanërisht me aleatin e saj, Shtetet e Bashkuara, si dhe të krijojë tensione të reja me Serbinë, e cila nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, thonë analistët politikë”, shkruan Reuters.
“Verdikti është një ngjarje tektonike”, tha Agon Maliqi, bashkëpunëtor i lartë jo-rezident në Qendrën për Evropën të institutit Atlantic Council.
Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm dhe lirohet, Maliqi ka theksuar se kjo mund ta zhvendosë balancën e pushtetit në politikën kosovare më shumë në favor të partisë së tij opozitare, pro-perëndimore, si dhe të rikthejë besimin në ndjekjen e një bashkëpunimi më të madh me Perëndimin për sigurinë rajonale.
Politika kosovare, ai ka vlerësuar se është thellësisht e ndarë, veçanërisht për çështjen e marrëdhënieve me Perëndimin. “Nëse Thaçi shpallet fajtor, Kosova mund të largohet edhe më shumë nga Perëndimi në tërësi, sesa është larguar tashmë nën kryeministrin Albin Kurti”, shtoi.
“Rezultati i aktgjykimit do të ketë gjithashtu ndikim të menjëhershëm në marrëdhëniet ndëretnike tashmë të tensionuara brenda Kosovës, pasi emocionet do të jenë të larta dhe forcat radikale, përfshirë aktorët e jashtëm, mund të kenë interes për nxitjen e tensioneve”, tha Maliqi.
Në planin afatgjatë, kjo mund të ndikojë gjithashtu në perspektivat për një paqe të qëndrueshme me Serbinë, në varësi të reagimit të Beogradit, ka theksuar tutje Maliqi.
Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.
Prokuroria e Speciales i akuzon ata për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin.
Nga ana tjetër, krerët e UÇK-së janë deklaruara të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.



