Reagimet e Bashkimit Evropian dhe të ambasadave të Italisë e Gjermanisë pas rrënimit të vilave në zonën e Liqenit të Ujmanit, sipas ish-ambasadorit të Kosovës, Blerim Canaj, pasqyrojnë gjendjen e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Ai thotë se, edhe pse objektet e ndërtuara pa leje duhet të rrënohen, mungesa e koordinimit me aleatët po reflektohet gjithnjë e më shumë në reagimet e tyre publike.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Canaj tha se zbatimi i ligjit është i drejtë nëse objektet kanë qenë pa leje, por theksoi se për shkak të ndjeshmërisë politike të zonës, institucionet është dashur të tregohen më të kujdesshme.
“Shiko, tash rrëzimi i vilave, në qoftë se kanë qenë vila pa leje, natyrisht që është i drejtë dhe nuk mund të përzihemi ne në vendime të cilat duhet të jenë të drejta. Mirëpo, duke pasur parasysh sensitivitetin politik që e ka ai rajon dhe atë se çka mund të pasojë pastaj, mendoj që çdo qeveri duhet të jetë e kujdesshme me veprimet që i bën. Ndoshta ky rrënimi i vilave atje na tregon që zgjedhjet janë të pashmangshme, absolutisht, për shkak se ne e dimë që gjithmonë bëhen kso veprime për të prekur sentimentin nacional të një pjese të qytetarëve”, thotë Canaj.
Sipas tij, reagimet e Bashkimit Evropian dhe të ambasadave tregojnë mungesën e koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Por cilat janë pasojat të cilat i shkakton ai rrënim për shtetin, për vendin? Absolutisht po vërehet në reagimet edhe të ambasadave, edhe të Bashkimit Evropian. Kjo nuk flet për atë se si duhet të jenë marrëdhëniet, por flet për atë se ku janë marrëdhëniet. Që i bie që absolutisht nuk ka ndonjë marrëdhënie me këto institucione, për shkak se po të ishte do të kishte një koordinim dhe do të zhvillohej i tërë procesi pa zhurmë, sikurse janë zhvilluar qindra procese të tjera. Por ja që një partie politike i duhet për shkak të zgjedhjeve dhe bën veprimin që e bën”, tha ai.
Duke folur për situatën politike në vend dhe ngërçin institucional, Canaj tha se raportet me partnerët ndërkombëtarë pothuajse nuk ekzistojnë.
“Po ne nuk kemi raporte. Nuk kemi raporte, kjo është problemi. Për shkak se vetë ndërkombëtarët kanë treguar që raportet janë tejet të ftohura dhe raportet me ndërkombëtarët janë minimale, kështu që ne nuk mund të flasim për raporte kur ne nuk po shohim ndonjë veprim i cili na tregon që kemi raporte të mira. Shiko, ne nuk jemi, madje as nuk ftohemi nëpër ndonjë tubim të ndonjë organizate ndërkombëtare, e lëre më të na përkrahë dikush në drejtim të tyre. Kështu që kur flasim për raporte, po më duket që do të jetë një temë e harruar nëse vazhdon kështu”, tha Canaj.
Ai shtoi se prioritet i qeverisë së re duhet të jetë rikthimi i bashkëpunimit me aleatët, duke paralajmëruar se zhvillimet e fundit mund të ndikojnë në ftohje edhe më të madhe të raporteve.
“Bashkëpunimi. Të provohet që të ketë bashkëpunim. Mirëpo duhet ta kemi parasysh edhe një fakt: shoqëritë demokratike edhe pse duket që në heshtje i përkrahin stabilokracitë, ato i shohin stabilokracitë si rrezik për sistemet politike dhe natyrisht që pastaj tërheqen raporte. Dhe mendoj që ne e kemi kaluar fazën e stabilokracisë, për shkak se po shihet që jemi ku jemi, dhe nga veprimet që janë marrë kohëve të fundit po e vërejmë një farë rrëshqitje të ngadalshme në autokraci dhe natyrisht që do të jenë edhe më të ftohura, për shkak se askush nuk dëshiron që të bashkëpunojë me dikë apo me një shtet i cili e rrezikon demokracinë e vet”, u shpreh ai, për Ekonomia Online.
Canaj vlerësoi se koordinimi me partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm në çështjet ku Kosova kërkon mbështetjen e tyre.
“Çdo gjë ku na duhet përkrahja e tyre do të duhej të kishte koordinim, për shkak se nuk është çështja vetëm në Kosovë. Ne për shembull e kemi pasur rastin në Austri kur njëherë ka fituar partia radikale austriake, mirëpo ndërkombëtarët kanë ndikuar që pastaj ajo të tërhiqet nga kancelaria. Kështu që nuk është që është diçka kundër nesh, por është diçka për sistemin të cilin e kanë ndihmuar ata dhe të cilin dëshirojnë që ta avancojnë”, shtoi Canaj.
Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për rrënimin e disa vilave pranë Liqenit të Ujmanit, duke vlerësuar se në këtë rast nuk është respektuar procedura e rregullt ligjore. Në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë thuhet se banorët e prekur kishin nisur procedurat gjyqësore brenda afatit të përcaktuar nga ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci”, ndërsa u bë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim derisa të adresohen çështjet që lidhen me procedurat ligjore, të drejtat pronësore dhe të drejtat e njeriut.
Po ashtu ka reaguar edhe Ambasada e Italisë në Kosovë, duke iu bashkuar BE-së në shqetësimin për rrënimin e vilave.
Ambasada e Britanisë në Kosovë ka reaguar, dukethënë se po monitoron nga afër zhvillimet.
“Respektimi i sundimit të ligjit kërkon procese të drejta dhe transparente, ku të prekurit mund të ushtrojnë të drejtat e tyre. Jemi veçanërisht të shqetësuar nga raportet se veprimet zbatuese kanë vazhduar ndërsa procedurat ligjore janë ende duke u zhvilluar. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës të angazhohen me komunitetet e prekura, t’i adresojnë shqetësimet në mënyrë transparente dhe të shmangin veprime të mëtejshme që mund të dëmtojnë besimin e publikut ose besimin ndërkomunitar”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Më 21 korrik, autoritetet nisën aksionin për rrënimin e 11 vilave të ngritura ilegalisht në zonën e Ujmanit. Veprimi u mor me kërkesë të ndërmarrjes publike hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, në pronën e së cilës u ngritën objektet.




