Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Presidentja Justina Shiroka Pula autorizimin për Ministrin e Financave për nënshkrimin e një marrëveshjeje kredie me Bankën Evropiane për Investime (BEI).
Vendimi është marrë në mbledhjen e gjashtë të Qeverisë, e cila është zhvilluar të enjten në mënyrë elektronike.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, bëhet fjalë për Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin që synon përmirësimin e pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës.
Qeveria ka miratuar vendimin për t’i kërkuar Presidentes së Republikës autorizimin që Ministri i Financave të mund ta nënshkruajë këtë marrëveshje.



