Në natën e nëntë të protestës “Jo në emrin tim”, reflektorët në sheshin “Skënderbeu” u kthyen nga objekti i Qeverisë së Kosovës. Me këtë veprim, protestuesit kërkuan votimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Reflektorët po i kthejmë nga objekti i Qeverisë. Votojeni ligjin për Dhomat e Specializuara, durimi ynë po mbaron”, ishte mesazhi që përcolli organizatori i protestës, Çlirim Haziri.
Po ashtu, Haziri, një prej organizatorëve të protestave, ka bërë thirrje që deri më 1 tetor kur pritet të mbahet marshi i madh i paralajmëruar nga platforma “Liria ka Emër”, protestuesit të mblidhen çdo natë në sheshin e Prishtinës.
Gjatë kësaj proteste është mbajtur edhe një minutë heshtje për Afrim Bunjakun, rreshterin që u vra tre vjet më parë në sulmin terrorist në Banjskë.
Protesta “Jo në emrin tim” po mbahet çdo mbrëmje në Prishtinë, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndërkohë, për nesër është thirrur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, me pika të tjera në rendin e ditës.




