Posta e Kosovës ka lansuar emisionin e ri të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë një ceremonie të mbajtur në Prishtinë.
Në këtë ngjarje, zëvendësshefja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka vlerësuar Kosovën për kuptimin e vlerës së sovranitetit dhe demokracisë, duke e cilësuar këtë nismë si një simbol të miqësisë mes dy vendeve.
Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, zëvendësshefja e misionit, Anu Prattipati, ka falënderuar Postën e Kosovës për këtë nismë, duke e cilësuar atë si një nder për popullin amerikan.
“Pranimimi i kësaj pulle nga Kosova sot përbën një nder për ne. Çdo shkronjë e cila gjendet aty përcjell një histori të lirisë dhe miqësisë mes nesh. Postës së Kosovës dua t’ju them se keni krijuar diçka që do të qëndrojë për shumë mot. Vite pas ditës së sotme, njerëzit, qytetarët do e shikojnë këtë pullë postare dhe do ta kujtojnë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar së bashku për liri. Si Amerikë, ndërsa po shënon 250-vjetorin e pavarësisë, ne e shpërfaqim mirënjohjen për aleatët tanë siç është Kosova, një komb i cili e kupton vlerën e sovranitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm. Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan, ju falënderoj shumë për këtë nder dhe për miqësinë tuaj”, tha Prattipati.



