Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit me inicialet I.M., i cili u arrestua të dielën në Zveçan nën dyshimin për përfshirje në veprat penale që lidhen me dhunën e majit të vitit 2023.
Policia e Kosovës ka publikuar edhe pamje nga operacioni dhe arrestimi i të dyshuarit, i cili u realizua me urdhër të Prokurorisë Speciale.
“Pas operacionit policor të realizuar të dielën në Zveçan, ku u arrestua i dyshuari (I.M.), nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë dhe Prokurorisë Speciale, I.M. dyshohet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese” dhe “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”.
Arrestimi i tij ka ardhur pas një sërë veprimesh hetimore të ndërmarra nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
I.M. dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë trazirave të majit 2023 në veri të vendit.
Pas arrestimit, Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë me veprimet e mëtejshme procedurale në përputhje me ligjin.




