Policia e Kosovës po vazhdon serinë e kontrolleve në fshatrat e Zubin Potokut. Sot, policia është duke kryer kontroll në fshatin Stërmac.
Kontrolli i ri, sikurse edhe gjatë ditëve të mëparshme, po zhvillohet për shkak të dyshimeve për armëmbajtje të paligjshme, ndërsa nga policia bëjnë të ditur se deri më tani nuk ka persona të shoqëruar.
Për momentin nuk dihen detaje të tjera.
Kujtojmë se dje policia ka kryer kontroll në fshatin Bërnjak, ndërsa një ditë më parë në Zupç. Kontrolle ka pasur edhe në Prevlak.
Në disa lokacione si në Kalludër dhe Jabukë ku u gjetën varreza masive, policia më herët gjithashtu ka kryer kontrolle në objekte.
Aksioni, sikurse edhe gjatë ditëve të kaluara, është zhvilluar për shkak të dyshimeve për armëmbajtje të paligjshme.
Policia së fundmi, në kërkim të armëve, ka kontrolluar edhe objekte në fshatin Çrepulë, ndërsa më herët edhe në Dren, ku një person është arrestuar dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.



