Profesori i asociuar në Programin e Studimeve të Sigurisë në Universitetin Georgetown, David L. Phillips, ka kritikuar klasën politike dhe shoqërinë kosovare për mungesën e, siç e quajti ai, pjekurisë politike për të ndërtuar një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një intervistë për Kallxo.com, Phillips tha se përgjegjësia për ngërçin institucional në Kosovë nuk bie vetëm mbi liderët politikë, por edhe mbi shoqërinë, e cila sipas tij nuk kërkon mjaftueshëm llogari nga udhëheqja.
“Shoqëria e Kosovës është përgjegjëse, sepse nuk kërkon më shumë nga udhëheqja e saj politike”, deklaroi Phillips.
Duke komentuar marrëdhëniet Kosovë-SHBA dhe mundësinë e rifillimit të Dialogut Strategjik mes dy vendeve, ai sugjeroi që Prishtina të kërkojë emërimin e një të dërguari të posaçëm amerikan që do të punonte paralelisht me një përfaqësues të Bashkimit Evropian.
“Kërkoni një të dërguar të posaçëm të SHBA-së që të punojë përkrah një homologu të Bashkimit Evropian”, tha ai.
Megjithatë, Phillips u shpreh kritik për gatishmërinë e Kosovës për të qenë partnere strategjike e Uashingtonit, sidomos në një kohë kur Serbia ka nisur Dialogun Strategjik me SHBA-në.
“Kosovës i mungon pjekuria politike për të qenë partnere strategjike”, deklaroi profesori amerikan.
Ai foli edhe për projektin e gazit amerikan dhe paralajmëroi se vonesat mund të kenë pasoja për Kosovën. Sipas tij, administrata e presidentit Donald Trump i sheh marrëdhëniet ndërkombëtare edhe përmes interesave ekonomike dhe Prishtina duhet ta prezantojë veten si një aset ekonomik.
“Trump është shumë transaksional. Kosova duhet ta paraqesë veten si një aset ekonomik”, tha Phillips.
I pyetur nëse Kosova rrezikon ta humbasë mundësinë strategjike në sektorin e energjisë, ai u përgjigj shkurt: “Po”.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se Dialogu Strategjik me Kosovën mund të rifillojë vetëm kur të krijohen kushtet e duhura dhe kur institucionet e vendit të jenë plotësisht funksionale.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka kërkuar hapa konkretë nga institucionet kosovare për përmbushjen e zotimeve, veçanërisht në raport me komunitetin serb në Kosovë.
“Për të rifilluar planifikimin për një dialog strategjik, ne duam të shohim hapa konkretë nga qeveria në detyrë për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit”, ka deklaruar Ambasada amerikane.
SHBA-ja e kishte pezulluar për një kohë të pacaktuar planifikimin e Dialogut Strategjik me Kosovën në shtator të vitit 2025, duke përmendur shqetësime për veprimet e ndërmarra nga qeveria në detyrë.
Ndërkohë, Serbia ka nisur më 17 korrik rundin e parë të Dialogut Strategjik me SHBA-në. Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, e ka cilësuar këtë zhvillim si një nga momentet më të rëndësishme në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Uashingtonit.
Serbia, në kuadër të këtij bashkëpunimi, ka pranuar edhe projekte për gazin e lëngshëm natyror dhe diversifikimin e furnizimit energjetik.
Në Kosovë, debati për projektin e gazit amerikan vazhdon të jetë i hapur. Përfaqësues të SHBA-së kanë kërkuar partneritet afatgjatë energjetik me Prishtinën, ndërsa Qeveria në detyrë ka deklaruar se nuk është kundër gazit amerikan, por se prioritetet energjetike të Kosovës kanë qenë thëngjilli, burimet e ripërtëritshme, koogjenerimi dhe efiçienca energjetike.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte deklaruar më herët se nuk bëhej fjalë për prishje të marrëdhënieve me SHBA-në, por vetëm për pezullim të planifikimit të Dialogut Strategjik.
“Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”, kishte thënë Kurti. /Kallxo



