Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa një marrëveshje politike.
Pas takimit që zgjati disa orë në Kuvendin e Kosovës, Kurti tha se palët kanë diskutuar për situatën politike, sfidat institucionale dhe mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen, por pa arritur një dakordim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi, pra diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësi që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe për funksionim të Republikës së Kosovës në mënyrë demokratike”, deklaroi Kurti.
Ai tha se gjatë takimit janë ndarë edhe shqetësimet e të dyja palëve, por se ka parë gatishmëri për të vazhduar dialogun.
“Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale dhe të sfidave që na presin. Ndamë edhe shumë brenga që i kemi, por njëkohësisht ka edhe shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen”, tha ai.
Kurti paralajmëroi se komunikimi me LDK-në do të vazhdojë, ndërsa theksoi se askush nuk dëshiron zgjedhje të reja.
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhjet e reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen. Për këtë jemi të vetëdijshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Do të përpiqemi maksimalisht të vazhdojmë komunikimin dhe takimet”, u shpreh ai.
Kurti foli edhe për partitë e tjera opozitare, duke thënë se mbetet i gatshëm të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini.
“Vullneti dhe gatishmëria ime do të jenë gjithmonë aty. Në një kohë të përshtatshme, të cilën do ta zgjedhin ata, unë jam i gatshëm të takohem edhe me kryetarin e AAK-së, edhe me kryetarin e PDK-së”, tha Kurti./Reporteri.net/




