Ka përfunduar procesi katërjavor i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore në tri lokacione të konfirmuara si varre masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjatë punës në terren është konfirmuar prania e mbetjeve mortore të 23 personave, të cilët dyshohet se janë viktima të zhdukjes me forcë gjatë luftës në Kosovë, transmeton Zeri.info.
Vetëm në lokacionin e tretë të varrit masiv janë konfirmuar mbetjet mortore të gjashtë individëve.
Procesi katërjavor ka përfshirë gërmimet vlerësuese, zhvarrosjen e mbetjeve mortore, dokumentimin mjekoligjor dhe vlerësimin e plotë të hapësirave me interes.
Në terren kanë qenë të angazhuara ekipet e Institutit për Mjekësi Ligjore (IML), Sektorit të Policisë për Persona të Zhdukur, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe njësi të tjera përkatëse të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë.
Procesi është zhvilluar me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Qeverisë së Kosovës, ndërsa ekipet mjekoligjore të EULEX-it, në kuadër të IML-së, kanë ofruar mbështetje në vlerësimin e lokacioneve dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore.
Aktivitetet janë zhvilluar në zbatim të urdhrit të gjykatës kompetente, të lëshuar pas kërkesës së prokurores së rastit nga Departamenti për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Pas përfundimit të punës në terren, procesi do të vazhdojë në Institutin për Mjekësi Ligjore me ekzaminimet mjekoligjore dhe analizat e ADN-së. Qëllimi është konfirmimi i identitetit të viktimave, pas së cilës do të ndërmerren hapat e mëtejshëm proceduralë, përfshirë informimin zyrtar të familjeve.
Institucionet kanë shprehur mirënjohje për ekipet dhe profesionistët e angazhuar në proces, si dhe për familjet e personave të zhdukur dhe Shoqatën e Familjeve “Zëri i Prindërve”, për bashkëpunimin gjatë gjithë procesit.




