152 raste të reja u konfirmuan mbrëmë si të prekur me virusin COVID-19. Ky numër që u konfirmua mbrëmë vetëm sa shtoi numrin e përgjithshëm të të infektuarve duke arritur kështu në 3 mijë e 508 persona.
Por kjo situatë aspak e lehtë dhe shumë shqetësuese nuk po iu bën përshtypje shumë qytetarëve në Mitrovicë.
Në disa fotografi të dërguara në redaksi të Indeksonline shihen grumbull i qytetarëve të cilët presin para një qendre që funksionon për tërheqje parash, kryerjen e pagesave e shërbime të ngjashme, në Lagjen e Bosnjakëve në Mitrovicë.
Të njëjtit nuk po respektojnë aspak distancën dhe janë thuajse të ngjitur me njëri-tjetrin.
Kjo jo vetëm që shton rrezikun për infektim të këtyre qytetarëve që janë të pranishëm, por edhe shton rrezikon e përgjithshëm tek qytetarët.
Deri më tani në Kosovë kanë humbur jetën 75 persona si pasojë e përballjes me COVID-19, virus ky për të cilin nuk ka ende asnjë vaksinë, apo anti-virus.
Duke filluar nga sot qytetarët do të kenë më të kufizuar të drejtën e lëvizjes, pasi Qeveria e Kosovës ndërmori dje një sërë masash në mënyrë që të parandalohet rritja e rrezikut nga kjo pandemi që ka prekur thuajse gjithë botën./Indeksonline/





