Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në Mitrovicë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme që lidhen me testin me shkrim për patentë shofer.
Sipas Policisë, rasti është hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësia Rajonale në Mitrovicë-Jug, pas informacioneve për dyshime se persona të caktuar, në bashkëveprim, po u ndihmonin kandidatëve të kalonin testin përmes pajisjeve të ndryshme të komunikimit.
Hetimet kanë ngritur dyshime se kandidatëve u mundësohej marrja e përgjigjeve nga distanca gjatë kohës së testimit.
Më 31 gusht 2026, Policia pranoi informacione se disa kandidatë do të hynin në test duke përdorur pajisje komunikimi. Pas ndërhyrjes së menjëhershme, zyrtarët policorë ndaluan një automjet, ku gjatë kontrollit u gjetën dhe u konfiskuan pajisje që dyshohet se do të përdoreshin gjatë testimit.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit janë kryer edhe bastisje në dy lokacione, mirëpo aty nuk janë gjetur sende të dyshuara.
Si prova materiale janë konfiskuar pajisje komunikimi të vendosura tek dy prej të dyshuarve, si dhe katër telefona mobilë.
Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa një person tjetër është liruar dhe ndaj tij rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.



