Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për përplasjet brenda LDK-së lidhur me kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke thënë se gjashtë deputetët që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë atë mund ta kishin kundërshtuar edhe një kandidat tjetër.
Duke komentuar zhvillimet në grupin parlamentar të LDK-së, Osmani tha se nga ajo që kishte dëgjuar në mbledhjen e fundit, kishte krijuar përshtypjen se për disa prej deputetëve nuk ishte vendimtar emri i kandidatit.
“Edhe sikur ta diskutonim emrin më herët, edhe gjithçka të bënim, prapëseprapë do ta kishim një rezultat të ngjashëm. Ndoshta jo gjashtë, po katër, sepse neve na është thënë se pak a shumë në fund të fundit nuk do të kishte fare rëndësi se kush është emri, do ta bllokonin çdo emër”, ka deklaruar Osmani në Klan Kosova.
Sipas saj, madje disa prej deputetëve kishin bërë të ditur se nuk do ta votonin as një kandidat që do të vinte nga LDK-ja.
“Për dy prej tyre, edhe sikur të ishte presidenti i LDK-së, ta shndërruan mendjen dhe thanë: nuk do t’i votonim të gjithë që do të vinin nga LDK-ja”, ka thënë ajo.
Osmani ka ngritur edhe pretendimin se qëndrimi i disa deputetëve përbën, sipas saj, mospranim të rezultatit të Kuvendit Zgjedhor të LDK-së dhe rikonfirmimit të Lumir Abdixhikut në krye të partisë.
Ajo ka thënë se nëse kundërshtimi lidhet me çdo propozim të Abdixhikut, atëherë çështja shkon përtej kandidaturës së Sejdiut.
“Do të thoja me bindje të plotë: mospranim të rezultatit të Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, edhe të atij të janarit, edhe të këtij të korrikut”, është shprehur Osmani.
Sipas saj, të gjithë deputetët e LDK-së fillimisht ishin pajtuar për tri çështje: shmangien e zgjedhjeve të reja, mbështetjen për një president konsensual dhe qëndrimin e LDK-së në opozitë.
“Qëndrimi ka qenë i përbashkët i krejt deputetëve të LDK-së që nuk është mirë ta dërgojmë vendin në zgjedhje të reja, sepse zgjedhjet e reja do ta fuqizonin pikërisht zotin Kurti. E dyta, ka qenë qëndrimi i përbashkët që të shkojmë me president konsensual. E treta, ka qenë qëndrimi i përbashkët që interesi i Kosovës është t’i japim stabilitet institucional dhe ne të qëndrojmë në opozitë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka kundërshtuar edhe akuzat se LDK-ja, përmes këtij qëndrimi, është afruar me Albin Kurtin.
“Kur po thonë ‘ju u bëtë me Kurtin’, është çmenduria më e madhe që po e dëgjoj. LDK-ja në opozitë dhe një president si profesor Sejdiu nuk është të bëhesh me Kurtin”, ka deklaruar Osmani.
Në fund, ajo ka thënë se një qëndrim i tillë do t’i jepte LDK-së mundësi të ringrihej si opozitë, ndërsa Kosovës do t’i siguronte stabilitet institucional./Reporteri.net/




