spot_img
spot_img

“Një njeri kaq i mirë u shua në pragun e shtëpisë” -Shoqja e Arlindës me mesazh prekës pas tragjedisë

Një mesazh i mbushur me dhimbje, mall dhe revoltë është publikuar nga Sevdije Berisha, shoqja e të ndjerës Arlinda Zekaj, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e saj.

Në fjalët e saj prekëse, Sevdije Berisha e kujton Arlindën si një grua të mrekullueshme, fisnike, të sjellshme dhe me shpirt të pastër, duke e cilësuar humbjen e saj si një dhimbje të papërshkrueshme.

“Si është e mundur që një njeri kaq i mirë të shuhet kaq padrejtësisht, në pragun e shtëpisë, nga dora e atij që duhet të ishte familjar?!”, ka shkruar ajo, duke shprehur dhimbjen për tragjedinë që i mori jetën shoqes së saj.

Përveç dhimbjes personale, Berisha ka ngritur shqetësimin edhe për dhunën ndaj grave dhe përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e jetës së tyre. Ajo ka kërkuar më shumë veprime konkrete nga organet përgjegjëse, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.

“Nuk mjaftojnë më lotët dhe ngushëllimet formale pas çdo tragjedie! Jeta e një gruaje nuk është statistikë, nuk është lajm i ditës që harrohet nesër”, thuhet në një pjesë të postimit të saj.

Sevdije Berisha i ka kushtuar Arlindës edhe fjalë lamtumire, duke shprehur bindjen se kujtimi për të do të mbetet i paharruar.

“Prehu në paqe, engjëlli ynë! Do të të kujtoj me mall dhe dhimbje përjetësisht”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë, kunati i Arlindës, i dyshuar kryesor për vrasjen e saj, ende nuk është kapur nga autoritetet përkatëse.

TË FUNDIT

TË FUNDIT