E kishte lënë Amerikën, por jo edhe vuajtjen pas. Një grua që, sipas informacioneve të reja, ishte përballur me dhunë të vazhdueshme në familje, me largim nga shtëpia dhe me pengesa për ta pasur pranë djalin e saj, përfundoi e vrarë në mënyrë makabre. Para se t’i merrej jeta, ajo kishte trokitur në dyert e institucioneve, kishte kërkuar mbrojtje dhe kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej.
Vrasja e Arlinda Sylaj Zekajt, 49-vjeçares që u godit për vdekje me sëpatë në Vitomiricë të Pejës, po nxjerr në dritë një histori shumë më të gjatë se nata tragjike e 25 tetorit.
Gazeta Sinjali ka siguruar informacione të reja për jetën e viktimës, konfliktet familjare, pretendimet për dhunë sistematike dhe përpjekjet e saj për të siguruar mbrojtje institucionale.
Sipas këtyre informacioneve, Arlinda dhe bashkëshorti i saj kishin jetuar rreth dhjetë vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Familja kishte prejardhje nga Deçani, ndërsa më pas kishte jetuar në Vitomiricë të Pejës.
Mirëpo, pas kthimit në Kosovë, marrëdhëniet familjare dyshohet se ishin përkeqësuar deri në atë pikë sa Arlinda ishte përballur me dhunë të vazhdueshme.
Burimet e Sinjalit pretendojnë se bashkëshorti e kishte dëbuar nga shtëpia, ia kishte djegur rrobat dhe ishte ndarë prej saj.
Por, sipas këtyre informacioneve, një nga pjesët më të dhimbshme të kësaj historie lidhej me djalin e saj.
Pas ndarjes, Arlinda dyshohet se ishte përballur edhe me pengesa për ta marrë fëmijën pranë vetes.
Burimet thonë se, në një periudhë kur bashkëshorti kishte udhëtuar për në Amerikë, djali kishte mbetur nën përkujdesjen e një personi të tretë, ndërsa nëna kishte kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për ta zgjidhur çështjen.
Sipas të njëjtave informacione, kërkesat për ndërhyrje ishin lidhur edhe me pretendimin se fëmija kishte mbetur pa përkujdesjen e prindit që ishte larguar jashtë vendit.
Për Arlindën, moslejimi që ta kishte djalin pranë nuk ishte thjesht një mosmarrëveshje familjare. Sipas pretendimeve të përcjella te Sinjali, ajo e përjetonte këtë situatë si një formë të rëndë të dhunës psikologjike.
Në këtë histori përmendet edhe ekzistenca e një urdhri mbrojtës, të lidhur me dhunën e raportuar nga bashkëshorti.
Megjithatë, mbeten për t’u verifikuar përmbajtja, kohëzgjatja dhe mënyra e zbatimit të tij, si dhe vendimet që janë marrë lidhur me përkujdesjen ndaj fëmijës.
Një tjetër element shqetësues lidhet me pretendimet për vonesa në trajtimin e kërkesave institucionale.
Sipas informacioneve që ka pranuar Sinjali, për një urdhër ishte pritur rreth 24 ditë, ndërsa një kërkesë tjetër pretendohet se ishte refuzuar.
Ende nuk është sqaruar se për cilin vendim konkret bëhet fjalë, cila gjykatë apo institucion e kishte trajtuar kërkesën dhe mbi çfarë arsyetimi ishte marrë vendimi.




