Një muaj paraburgim i është caktuar Dukagjin Maxhunit nga Gjakova, i cili ishte ndaluar në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili ka thënë se Maxhuni “dyshohet për krime lufte”.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se ai e ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në dëm të anëtarëve të dy familjeve, gjatë qershorit të vitit 1999, në fshatin Bec, në komunën e Gjakovës”, ka thënë ai përmes një njoftimi.
Sipas Daçiçit, ndaj të dyshuarit fillimisht ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa kallëzimi penal ishte dërguar në Prokurorinë serbe për Krime Lufte.
“Bazuar në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd – Departamenti për Krime Lufte, atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh”.



