Kompania gjermane e industrisë së mbrojtjes, Rheinmetall AG, ka inauguruar zyrtarisht fabrikën më të madhe për prodhimin e municioneve në Evropë, e cila ndodhet në Unterlüß.
Fabrika do të fokusohet fillimisht në prodhimin e predhave të artilerisë kalibër 155 mm, standard ky i forcave të NATO-s. Sipas planit, vetëm gjatë këtij viti pritet të prodhohen 25 mijë copë, ndërsa deri në vitin 2027 kapaciteti do të arrijë në 350 mijë predha.
Në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili e cilësoi këtë investim si një hap strategjik për sigurinë evropiane, sidomos në kohën kur tensionet në lindje të kontinentit janë në rritje.
Edhe pse fillimisht do të prodhohen vetëm predha artilerie, parashikohet që fabrika të zgjerojë aktivitetin edhe me prodhimin e armëve raketore, duke forcuar ndjeshëm kapacitetet teknologjike dhe operacionale të Rheinmetall-it.
Në kuadër të këtij zgjerimi, kompania gjermane ka njoftuar gjithashtu planin për ndërtimin e një fabrike të re në Ukrainë, me synimin për krijimin e një rrjeti të integruar të mbrojtjes në nivel evropian.
Në këtë projekt janë investuar rreth 500 milionë euro. Aktualisht në fabrikë punojnë 3 mijë punonjës, ndërsa së shpejti pritet të shtohen edhe rreth 500 vende të reja pune.