Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me nderimet e bëra në Serbi për Ratko Mlladiqin, duke thënë se shteti serb nga varrimi i priftit serb Nikolaj Velimiroviq në maj 1991 e deri te varrimi i Ratko Mlladiqit në shtator 2026, organizon spektakle morbide për gjakderdhje të ardhshme.
Kryeministri në detyrë i vendit, ka shtuar edhe se me shërbimin e përlotur fetar të djeshëm të Patriarkut Porfirije te kufoma e Ratko Mlladiqit, Serbia po konfirmohet si teokraci militariste ku politikanët e tyre ftohen për tifozeri klubesh të ndryshme të ligës së njëjtë.
“Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit’’, ka shkruar Kurti mes tjerash.
Postimi:
Pardje e kemi shënuar 27 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Të shtunën e kemi shënuar 29 vjetorin e shkuarjes në amshim të Nënë Terezës dhe 10 vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku. Ndërsa dje, e kemi shënuar ditën e Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës nga viti 1990, apo siç njihet në mënyrë të popullarizuar, të Kushtetutës së Kaçanikut.
Në anën tjetër Serbia fundjavën e kaloi në përgatitje të asaj që bëri dje: nderime të larta shtetërore për kriminelin e luftës, gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës ku u vranë 8.372 boshnjakë, kryesisht burra e djem, në korrik të vitit 1995.
Gjenocidi në Srebrenicë është fakt historik i dëshmuar nga varrezat masive, identifikimet forenzike të mijëra viktimave, dëshmitë e të mbijetuarve dhe dokumentimi i hollësishëm i operacionit të vrasjes dhe fshehjes së trupave, jo interpretim historik apo akuzë politike. Burrat dhe djemtë boshnjakë u ndanë nga familjet, u ekzekutuan sistematikisht dhe u hodhën në varreza masive; pastaj shumë prej trupave të tyre u zhvarrosën e u shpërndanë në varreza dytësore e tretësore për t’i fshehur gjurmët e krimit. Ratko Mlladiq ishte komandanti i kësaj makinerie, jo dëshmitari i saj.
Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë kasap i Ballkanit dhe ky kasap ka pasur shumë thika, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikojnë tash Beogradi zyrtar.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi më 2007 se Serbia kishte shkelur detyrimin e saj sipas Konventës së Gjenocidit për ta parandaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe se, duke mos e transferuar atëherë Mlladiqin për gjykim, kishte dështuar të bashkëpunonte plotësisht me Tribunalin. Shteti që për vite nuk e dorëzoi te drejtësia, dje e solli kufomën e tij me aeroplan qeveritar, e mbështolli me flamur dhe e përcolli me ushtri, ministra, klerikë të lartë e orkestër. Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore.
Nga varrimi i priftit serb Nikolaj Velimiroviq në maj 1991 e deri te varrimi i Ratko Mlladiqit në shtator 2026, Serbia organizon spektakle morbide për gjakderdhje të ardhshme.
Me shërbimin e përlotur fetar të djeshëm të Patriarkut Porfirije te kufoma e Ratko Mlladiqit, Serbia po konfirmohet si teokraci militariste ku politikanët e tyre ftohen për tifozeri klubesh të ndryshme të ligës së njëjtë.
Nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit.




