Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Ganimete Musliu, ka bërë me dije se kësaj partia në mënyrë të padrejtë po i bëhet presion për të ia votuar VV-së kandidatin për president.
Ajo ka vlerësuar se kjo parti nuk do t`i nënshtrohet këtij presioni, ndërsa tha se interesi i Kosovës nuk është që një parti t’i ketë nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit.
“Presioni ndaj PDK-së që, në emër të “interesit të Kosovës”, t’ia japë votën kandidatit të Vetëvendosjes për President është i padrejtë dhe i papranueshëm. PDK nuk do t’i nënshtrohet një presioni të tillë. Interesi i Kosovës nuk është që një parti t’i ketë nën kontroll të gjitha institucionet e shtetit. Interesi i Kosovës është të ketë institucione të ndërtuara mbi Kushtetutën, sundimin e ligjit, kontrollin demokratik dhe balancën e pushteteve”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, vota e PDK-së shkon vetëm për interes të Kosovës.
“Vota e PDK-së nuk është pronë e askujt dhe nuk jepet për t’i mundësuar asnjë partie përqendrimin e pushtetit. Ajo jepet vetëm kur i shërben interesit të qytetarëve, demokracisë dhe funksionimit të shëndetshëm të shtetit. Kosova nuk ka nevojë për pushtet të pakufizuar në duart e një force politike. Ka nevojë për institucione të pavarura, që kontrollojnë njëra-tjetrën dhe u shërbejnë qytetarëve, e jo interesave partiake”, ka shkruar ajo.



