spot_img
spot_img

Musliu i reagon kryeshefit të Trainkosit: Nëse nuk kërkon falje brenda 24 orësh, përballja do të vazhdojë në rrugë ligjore

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar publikisht ndaj kryeshefit të Trainkos, duke e akuzuar për gjuhë seksiste, shpifje dhe deklarata të pavërteta ndaj saj dhe familjes së saj.

Musliu ka thënë se ka pritur tri ditë që ai të reflektojë dhe të kërkojë falje publike, por sipas saj, në vend të reflektimit, ai ka vazhduar me deklarata të tjera.

“Ajo që nisi me një koment në një portal, vazhdoi me një status të paramenduar mirë, ku ke bërë shpifje dhe ke thënë të pavërteta për mua dhe familjen time”, ka shkruar Musliu.

Postimi i plotë:

KUR TRENAT MBESIN NË VEND, POR MENDËSIA SEKSISTE ECËN ME SHPEJTËSINË E DRITËS.

Erta 300×250
Kryeshef i Trainkosit, çoji trenat përpara, sepse gratë e kanë gjetur rrugën e tyre pa lejen dhe miratimin tuaj!

Kam pritur tri ditë që të reflektoje dhe të kërkoje falje publikisht, jo vetëm ndaj meje, por para së gjithash ndaj bashkëshortes tënde dhe ndaj të gjitha grave të Kosovës, të cilat çdo ditë përballen me paragjykime, fyerje, shpifje, linçime, kërcënime, abuzim dhe gjuhë seksiste, si ajo që ke përdorur edhe ti.

Por, në vend që të reflektoje, paske shkuar edhe më larg.

Ajo që nisi me një koment në një portal, vazhdoi me një status të paramenduar mirë, ku ke bërë shpifje dhe ke thënë të pavërteta për mua dhe familjen time, duke tentuar të njollosësh jo vetëm emrin tim, por edhe familjen time.

Të paralajmëroj publikisht: nëse nuk reflekton, nuk i fshin deklaratat dhe nuk kërkon falje publike ndaj meje dhe familjes sime brenda 24 orësh, atëherë përballja jonë do të vazhdojë në rrugë ligjore.

Unë nuk do të hesht përballë shpifjeve, fyerjeve dhe përpjekjeve për të njollosur emrin tim apo familjen time.

I dal ballë secilit me prova, fakte dhe argumente, sepse trashëgimia më e madhe që më ka lënë familja ime është pastërtia kombëtare, shtetërore, institucionale e njerzore.

Këto vlera do t’i mbroj në çdo instancë dhe me çdo kusht, ndaj secilit që tenton t’i cenojë, t’i njollosë apo t’i shtrembërojë.

Përgjegjësinë për fjalët dhe akuzat tuaja do ta mbani edhe para gjykatës.

TË FUNDIT

TË FUNDIT