Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për qasjen e tij ndaj çështjeve institucionale dhe procesit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Përmes një reagimi në Facebook, Murati ka thënë se Kurti, sipas tij, po i trajton afatet kushtetuese, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet si pengesa, e jo si rregulla brenda të cilave duhet të veprojnë institucionet.
“Albin Kurti ka kondicion për t’u tallur me bashkëbiseduesit dhe opinionin publik deri në pafundësi për kriteret e nënkriteret që duhet të plotësohen për kandidatin për president”, ka shkruar Murati.
Ai ka pretenduar se Kurti e vendos legjitimitetin politik mbi kufijtë ligjorë dhe kushtetues.
“Afatet kushtetuese, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ligjet e Kushtetuta vetë, nuk i trajton si kornizë brenda së cilës ai duhet të veprojë. Përkundrazi, i trajton si pengesa për legjitimitetin e veprimeve të tij”, ka deklaruar Murati.
Sipas tij, edhe në të kaluarën Kurti e kishte interpretuar ndryshe konceptin e legjitimitetit politik.
“Dje kur ishte në opozitë, votat për të nuk ishin burim i legjitimitetit, por ‘kauzat’ e tij i konsideronte se legjitimonin çdo aksion politik”, ka shkruar Murati.
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën e qeverisjes së Kurtit, duke e lidhur me, siç ka thënë, “kaosin institucional”, zgjedhjet e shpeshta dhe konfliktet politike.
“Zgjedhje, kaos institucional, konflikt shoqëror, populizëm i pafre, prapë zgjedhje, prapë kritere e nënkritere, prapë institucione në detyrë – këto janë metodat me të cilat ai rri në pushtet”, ka përfunduar Murati.



