Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka bërë të ditur se mbrojtja e resurseve ujore mbetet një prej prioriteteve strategjike të saj, duke paralajmëruar vazhdimin e aksioneve për lirimin e pronave ujore të uzurpuara dhe të objekteve të ndërtuara pa leje.
Në një reagim të publikuar në Facebook, ministria njoftoi se tashmë ka nisur trajtimin e kërkesave të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për lirimin e pronave ujore të uzurpuara apo të tjetërsuara në kundërshtim me ligjin.
“Për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mbrojtja e resurseve ujore përbën një prioritet strategjik kombëtar, ndaj ruajtja e pronave ujore është vendosur në qendër të angazhimit tonë institucional. Prandaj kemi nisur trajtimin e menjëhershëm të kërkesave nga institucionet dhe ndërmarrjet publike për lirimin e të gjitha pronave ujore të uzurpuara apo të tjetërsuara jashtligjshëm”, thuhet në reagim.



