Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se Kryesia e saj, në mbledhjen e sotme, ka miratuar “me unanimitet të plotë” marrëveshjen politike me Lëvizjen Vetëvendosje për tejkalimin e krizës institucionale dhe ka mbështetur nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.
Kjo deklaratë e Kryesisë vjen vetëm pak minuta para mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie.
Përmes një deklarate, Kryesia e LDK-së ka theksuar se vendimi përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të partisë, duke iu bërë thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar që ta respektojnë atë gjatë procesit të votimit.
“Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
LDK-ja ka deklaruar se mbështetja për Sejdiun lidhet me, siç thuhet, përgjegjësinë që partia ka marrë për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues.
Sipas Kryesisë së LDK-së, procesi nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e Presidentit, por edhe me shmangien e një krize të re politike dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm të institucioneve.
“Interesi i shtetit dhe detyrimi ndaj rendit kushtetues kanë qenë dhe mbeten orientimi themelor i veprimit tonë”, thuhet në deklaratë.
Sa i përket kandidaturës së Bekim Sejdiut, LDK-ja vlerëson se ai i përmbush kriteret për të ushtruar detyrën e Presidentit, duke e cilësuar atë si një personalitet me integritet, përgatitje profesionale dhe përvojë institucionale.
Në deklaratë përmendet edhe përvoja e Sejdiut si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kandidatura e tij vlerësohet si e përshtatshme për një president që, sipas LDK-së, duhet të qëndrojë mbi ndarjet partiake dhe të përfaqësojë Republikën brenda dhe jashtë vendit.
“Kryesia vlerëson se kandidatura e tij i shërben nevojës së vendit për një President që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton me përpikëri Kushtetutën dhe përfaqëson Republikën me seriozitet brenda dhe jashtë vendit; me theks të veçantë në orientimin tonë euroatlantik”, thuhet në deklaratë.
Në fund, LDK-ja ka përsëritur thirrjen ndaj deputetëve të saj që gjatë votimit të veprojnë në përputhje me vendimin e organeve të partisë.
“Përgjegjësia ndaj Republikës duhet të qëndrojë mbi çdo konsideratë tjetër”, ka deklaruar Kryesia e LDK-së, duke shtuar se partia do të vazhdojë të veprojë me “maturi, unitet dhe përgjegjësi”, me interesin e Republikës së Kosovës në fokus.



