Vetëm edhe pak orë na ndajnë nga shpallja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndërsa në Hagë janë shtuar masat e sigurisë.
Reagimi i Policisë holandeze erdhi pasi qytetarë iu afruan rrethojave të Gjykatës Speciale.
Përmes një njoftimi me zë, policia ka paralajmëruar se në rast se të pranishmit nuk zbatojnë urdhrin për t’u larguar, do të përdoret forcë.
“Urdhri nga policia është që të largoheni nga ndërtesa e Tribunalit, përndryshe do të përdorim forcë”, thuhet në thirrjen e policisë.
Pamjet e momentit janë publikuar nga Telegrafi.
Situata po zhvillohet vetëm pak para shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se shpallja e aktgjykimit është caktuar për sot, 16 shtator, në orën 10:00, sipas kohës lokale në Hagë. Seanca është publike dhe do të transmetohet edhe online.
Katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.




