Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë duke komentuar vendimin e Këshillit Gjyqësor për të refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe personelit administrativ për të tërhequr dorëheqje ka theksuar rëndësinë e garantimit të përfaqësimit të serbëve në institucionet e Kosovës dhe ka kërkuar që ata të kenë mundësi të barabarta për pjesëmarrje në jetën politike dhe qytetare.
Ambasada e SHBA-së, në një përgjigje për portalin “Kosovo Online”, ka kujtuar se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucione.
“Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucione. Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurojë që serbët të kenë mundësi të barabarta dhe të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për këtë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Ndërkaq, te premten Bashkimi Evropian shprehu “keqardhje të thellë” për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që refuzoi tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit serb. KGJK më pas i ka kërkuar ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu që t’i lirojë nga detyra.
Një zëdhënës i bllokut evropian kujtoi se vendim të ngjashëm mori në korrik edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe më pas lirimi nga detyra i prokurorëve serbë – që kishin dhënë dorëheqje vite më parë – u dekretua nga Haxhiu.
“Këto vendime duket se nuk janë në përputhje me ligjet në Kosovë, me proceset e rregullta dhe me kërkesat e përgjithshme për sundimin e ligjit në Kosovë”, tha zëdhënësi përmes një deklarate.
Rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.




