Pas pakënaqësive të fermerëve për vonesat në subvencione dhe rritjen e kostove të prodhimit, Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se gjatë kësaj jave do të fillojë lëshimi i vendimeve dhe realizimi i pagesave për Pagesat Direkte 2026.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), ka bërë të ditur se për këtë program janë pranuar gjithsej 33,460 aplikime.
Sipas njoftimit, shqyrtimi administrativ i aplikimeve dhe kontrollet në terren për sipërfaqet bujqësore kanë përfunduar. Krahas pagesave, do të publikohen edhe listat e përfituesve.
Pas përfundimit të pagesave për sipërfaqet bujqësore, Ministria ka paralajmëruar se do të vazhdojë me skemat e tjera të mbështetjes.
Fermerët që kanë kultivuar grurë do të përfitojnë mbështetje për sipërfaqet e mbjella, plehun artificial dhe shpenzimet e naftës, sipas normave dhe shumave të mbështetjes të viteve të mëparshme.
Ndërkaq, Ministria ka sqaruar se mbështetja për grurin për kilogram është skemë e veçantë, e cila vlen vetëm për fermerët që e kanë dorëzuar grurin në mullinj dhe nuk ndikon në pagesat për sipërfaqet bujqësore.
Për aplikimet e vitit 2026, sipas Udhëzimit Administrativ nr. 02/2026, zbatohet pragu minimal i rendimentit prej 3,225 kilogramësh për hektar.
Ministria ka theksuar gjithashtu se vendimi për përcaktimin e rendimentit mesatar kombëtar është detyrim ligjor dhe bazohet në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas MBPZhR-së, ky vendim ndërlidhet me përgatitjen e Programit të Pagesave Direkte për vitin 2027 dhe nuk ndikon në aplikimet e pranuara për vitin 2026.



