Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, e ka uruar Albin Kurtin për mandatin e ri si kryeministër i Kosovës, duke shprehur besimin se marrëdhëniet dhe partneriteti mes dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen.
Në letrën e urimit, Jansha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe përkushtimin e vendit të tij për të mbështetur Kosovën në procesin e integrimit evropian.
“Dua gjithashtu të shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur besimin e palëkundur se marrëdhëniet miqësore dhe partneriteti ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës do të vazhdojnë të forcohen, në dobi të qytetarëve tanë”, thuhet në letrën e kryeministrit slloven.
“Sllovenia i kushton rëndësi të posaçme marrëdhënieve të saj me shtetet e Evropës Juglindore dhe përparimit të tyre në rrugën drejt integrimit evropian. Ju lutem, jini të sigurt se Kosova mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e plotë të vendit tonë dhe në ndihmën tonë në këtë fushë”, thuhet më tej në letrën e Janshës.


