Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Shën Stefan ministrin e Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve, zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe zhvillimet politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Përmes një postimi, Kurti ka thënë se partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete dhe po hap mundësi të reja bashkëpunimi.
“Partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete dhe po hap mundësi të reja për bashkëpunim”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, pas nënshkrimit të pesë marrëveshjeve dhe instrumenteve gjatë vizitës së Haddadit në Kosovë, në korrik, të dyja palët tashmë po punojnë për zbatimin e tyre, me synim avancimin e bashkëpunimit në drejtësi, arsim dhe sport.
Kurti ka përmendur edhe ratifikimin nga Kuvendi të kredisë prej 60 milionë eurosh për infrastrukturën e Lojërave Mesdhetare 2030, duke e cilësuar atë si një rezultat konkret të partneritetit me Francën.
“Ratifikimi këtë muaj nga Kuvendi i kredisë prej 60 milionë eurosh për infrastrukturën e Lojërave Mesdhetare 2030 është një rezultat konkret i këtij partneriteti”, ka deklaruar Kurti.
Në takim, sipas tij, është diskutuar edhe për zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, me theks te ndërlidhja mes paqes, sigurisë, demokracisë, sundimit të ligjit dhe integrimit evropian.
Kurti ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Francës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.



