Konsumatorët që shkyçen nga rrjeti për shkak të mospagesës së faturave të energjisë elektrike do të përballen me një kosto shtesë nga 1 shtatori, pasi përveç tarifës së shkyçjes do të paguajnë edhe tarifën e rikyçjes.
Edhe pse në njoftimin e publikuar dy ditë më parë nga KESCO nuk është bërë e ditur vlera e kësaj tarife, Buletini Ekonomik mëson se tarifa e rikyçjes do të jetë 17.70 euro, pra e njëjtë me tarifën e shkyçjes që tashmë është në fuqi.
Kjo do të thotë se një konsumator i shkyçur për shkak të mospagesës së detyrimeve financiare do të duhet të paguajë 17.70 euro për shkyçjen dhe 17.70 euro për rikyçjen, ose 35.40 euro gjithsej, përveç shlyerjes së borxhit total të energjisë elektrike.
Zbatimi i një tarife të dytë nga KESCO, një për shkycje dhe një tjetër për rikyçje, rritë rrezikun që shumë konsumatorë të rrymës të dëmtohen financiarisht në mungesë të informatave për detajet e mënyrës së pagesës.
Shumë pak konsumatorë e dinë se KESCO aplikon një metodë sipas së cilës edhe vetëm 1 cent borxh llogaritet si faturë e papaguar.
Sipas rregullit të KESCO-s, në qoftë se një faturë nuk paguhet në tërësi, saktësisht nëse nga fatura e fundit, konsumatori ka mbetur borxh qoftë edhe 1 euro ose 1 cent, kjo llogaritet si faturë e papaguar dhe mund të vijë deri të shkyçja pa dijeninë e konsumatorit.
Zyrtarë të KESCO-s që duan të mbeten anonim, kanë sqaruar për Buletinin Ekonomik se “në sistemin e faturimit të KESCO-s, analizat e borxheve dhe të pagesave të konsumatorëve realizohen përmes disa programeve të brendshme (ÇP, CRM dhe sisteme raportimi), të cilat evidentojnë çdo detyrim të papaguar në mënyrë automatike”.
Këto detyrime konsumatorët, janë të kushtëzuar t’i përmbushin, sepse mbesin pa energji elektrike. Prandaj, kushtimisht funksionon detyrimi i pagesës së taksës së shkyçjes së konsumatorëve.
Mirëpo, ka raste kur konsumatorët nuk janë të informuar se në qoftë se një faturë nuk paguhet në tërësi, atëherë këta konsumatorë vlerësohen mospagues të borxhit.
Më konkretisht, nëse konsumatori në faturën e pagesës mbetet borxh, bie fjala, 2 ose 3 euro të papaguara, sistemi i aplikuar në KESCO e regjistron si faturë të papaguar.
Kështu, në faturën pasuese, konsumatori figuron me dy fatura të papaguara, edhe pse shuma e mbetur është e vogël (qoftë 1, 2 apo 3 euro).
Kjo situatë, sipas kësaj mënyre pagese nga KESCO (rregullave në fuqi të KESCO-s), e përmbush kriterin për shkyçje nga rrjeti dhe rrjedhimisht konsumatori ngarkohet me taksën e rikyçjes prej 17.70 euro si dhe 17.70 euro tjera për shkyçje.
Prandaj, konsumatorët borxhlinj duhet pasur kujdes me rastin e pagesës së shlyerjes së borxhit. Duhet thjeshtë të jenë të saktë që të përmbushin këtë rregull, për të shmangur taksën e rikyçjes prej 17.70 euro. Nga KESCO nuk kanë pranuar të japin më shumë detaje rreth metodologjisë që e përdorin për zbatimin e gjobës prej 17.7 euro. /Buletini Ekonomik/




