Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, së bashku me prokurorin special Bekim Kodraliu, janë takuar me familjen e Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje i cili vdiq më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, i cilësuar si akt terrorist.
Prokuroria njoftoi se kryeprokurori dhe prokurori special i cili është prokuror i çështjes në rastin Dehari, kanë theksuar rëndësinë e trajtimit të këtij rasti “me seriozitet”.
“Kryeprokurori i Shtetit, z. Zejnulla Gashi, së bashku me prokurorin special, z. Bekim Kodraliu, njëherësh prokuror i çështjes në rastin e Astrit Deharit, kanë pritur në takim familjen e të ndjerit Astrit Dehari. Gjatë takimit, Kryeprokurori i Shtetit ka dëgjuar për së afërmi shqetësimet dhe qëndrimet e familjes Dehari, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të këtij rasti me seriozitet, profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me ligjin”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, kryeprokurori Gashi ka theksuar se ndriçimi i plotë i rrethanave të këtij rasti është “obligim institucional”.
“Kryeprokurori i Shtetit ka ritheksuar se ndriçimi i plotë i rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit është obligim institucional dhe se do të angazhohet maksimalisht që, brenda kompetencave dhe autorizimeve të tij ligjore, kjo çështje penale të trajtohet me profesionalizëm, me qëllim që të zbardhet e vërteta rreth këtij rasti dhe i njëjti të marr epilog përfundimtar”, thuhet në komunikatë.
“Kryeprokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar që çdo çështje penale të trajtohet me përgjegjësi, paanshmëri dhe transparencë, në mënyrë që rastet e viktimave të marrin përgjigje institucionale dhe të përmbushen pritshmëritë legjitime të familjarëve të tyre për drejtësi”, thotë Prokuroria.




