Reshjet e borës kanë mbuluar pjesë të Kosovës këtë të diel, ndërsa parashikimet meteorologjike paralajmërojnë një rënie të ndjeshme të temperaturave me fillimin e dhjetorit.
Në ditët në vijim, reshjet e borës pritet të zëvendësohen nga moti kryesisht i kthjellët, por me temperatura që mund të zbresin deri në 22 gradë nën zero në Prishtinë.
Pavarësisht intervaleve me diell, temperaturat në kryeqytet pritet të mbeten nën zero edhe gjatë orëve më të ngrohta të ditës.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë së dielës do të mbajë mot kryesisht i vranët, i shoqëruar me reshje bore.
Temperaturat minimale parashikohet të lëvizin ndërmjet -5 dhe -3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale ndërmjet 1 dhe 3 gradëve Celsius.
Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.
Sipas parashikimit të publikuar nga BBC Weather, bazuar në të dhënat e shërbimit meteorologjik britanik Met Office, kryeqytetin e Kosovës e pret një fillimdhjetor i acartë.
Që të hënën, më 30 nëntor, temperaturat minimale parashikohet të zbresin deri në -15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë -3 gradë.
E marta, më 1 dhjetor, pritet të jetë dita më e ftohtë e javës, me temperatura minimale që mund të arrijnë deri në -22 gradë Celsius.




