Kongresisti amerikan Joe Wilson ka deklaruar se Serbia duhet të ndërpresë varësinë nga Rusia dhe të distancohet nga Kina e Irani nëse dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Wilson ka rikonfirmuar mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka kritikuar Beogradin për marrëdhëniet me Moskën dhe kërcënimet ndaj Kosovës.
“Serbia duhet të jetë pjesë e BE-së, duhet të jetë pjesë e NATO-s. Por për këtë duhet të shkëputet nga ndikimi i Putinit, i Partisë Komuniste Kineze dhe të ndërpresë çdo lidhje me diktaturën në Teheran”, ka deklaruar Wilson.
Ai ka theksuar se pavarësia e Kosovës është shumë e rëndësishme dhe ka dënuar retorikën kërcënuese të Serbisë.
“Kam qenë në Prishtinë dhe pavarësia e Kosovës, për mua, është shumë e rëndësishme. Për fat të keq, kërcënimet nga Serbia thjesht – në shekullin XXI – nuk duhet të ndodhin”, është shprehur kongresisti amerikan.
Wilson ka kritikuar gjithashtu vazhdimin e importit të naftës dhe gazit rus nga Serbia, duke thënë se negociatat nuk mjaftojnë.
“Jo, jo, jo. Negociatat nuk mjaftojnë. Ata mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme. Nuk kanë nevojë të marrin leje nga Donald Trump”, ka thënë ai.
Sipas Wilsonit, Serbia duhet të ndërmarrë hapa konkretë për t’u afruar me Perëndimin.
“Tani është koha që Serbia të jetë pjesë e qytetërimit perëndimor, sepse qytetërimi perëndimor do të triumfojë”, ka deklaruar ai.
Kongresisti amerikan foli edhe për rezolutën që ka sponsorizuar në Kongres, me të cilën kërkon që sesioni vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027 të mbahet në Çarlston të Karolinës së Jugut dhe jo në Beograd. Sipas tij, shqetësimet lidhen me marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe me qasjen e saj ndaj Kosovës.




