Doarsa Kica-Xhelili, deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kishte dyshimet e saj se pse Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u pajtua për emrin e Bekim Sejdiut për President, por pasi që ndodhi ajo në LDK, ku një pjesë e deputetëve të partisë dolën kundër emrit të tij, ajo thekson se Kurti e dinte që kjo kandidaturë do ta përçante partinë më të vjetër në vend.
“Sikurse e shpreha në mbledhjen e grupit, kisha dyshimet e mia pse Kurti u pajtua për këtë kandidaturë. Mendoj që tashmë u bë e qartë pse. Jo se ai e donte këtë kandidaturë, por me gjasë, e dinte saktësisht se ky emër mund të shkaktonte atë qe e shkaktoi në LDK”, shkroi Kica-Xhelili në Facebook.
Mëkati më i madh i LDK-së, ajo vlerëson se mund të jetë se duke mos e tejkaluar vetveten, “u bëmë tmerrësisht e lehtësisht të lexueshëm nga ai”.
Kurti dhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e prezantuan si kandidat të përbashkët Sejdiun të hënën e kaluar. Por, gjashtë deputetë të LDK-së – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Armend Zemaj, Arben Gashi, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri – dolën kundër, çka e bëjnë marrëveshjen të pazbatueshme.
Në këtë situatë, Kica-Xhelili thekson se nuk e do një LDK të ndarë mes atyre të kryetarit dhe atyre të gjashtë deputetëve.
“Nuk kam hyrë në LDK për të zgjedhur kampe brenda saj. Kam hyrë sepse besoj në një parti ku institucioni është më i rëndësishëm se individi, ku debati nuk është tradhti dhe ku shumica ka të drejtë të udhëheqë, por pakica ka të drejtë të mos heshtë”.
Ajo nuk beson në një LDK ku pajtueshmëria me një vendim është kusht për integritet politik”. Mund të mos pajtohem me kolegët e mi, madje edhe për çështje shumë të rëndësishme, pa vënë në dyshim as motivet, as kontributin, as vendin e tyre në LDK”.
Po aq, deputetja thekson se mund ta mbështet një vendim të kryetarit “pa e konsideruar të pagabueshëm atë apo cilindo prej nesh”.
“Në politikë duhet të dimë ta bëjmë dallimin mes mospajtimit dhe armiqësisë. Nëse LDK nuk është mjaftueshëm e fortë për të përballuar gjashtë vota ndryshe, atëherë problemi ynë është shumë më i madh se gjashtë vota”, konsideron ajo.
Sa i përket emrin të Sejdiut, Kica-Xhelili thotë se kishte një vlerësim të qartë. “E konsideroj profesionist dhe me integritet. Mospajtimet që janë krijuar rreth procesit nuk e ndryshojnë këtë vlerësim timin”.
Një marrëveshje për të nxjerrë vendin nga kriza institucionale, ajo thekson se “nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në amnisti politike për mënyrën se si kemi ardhur deri këtu”, derisa përmendi tejkalimin e afateve kushtetuese nga Lëvzija Vetëvendosje për konstituimin e institucioneve.
“Afatet kushtetuese nuk janë elastike. Ato nuk mund të respektohen kur na përshtaten dhe të riinterpretohen sa herë që politika ka nevojë për disa ditë më shumë”.
“Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht. Pasi ky afat u tejkalua, Vetëvendosje ndërtoi një interpretim tjetër, sipas të cilit afati përfundonte më 6 shtator. Për hir të procesit, ‘paqartësitë’ e paguximshme që rrodhën nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, vendosëm t’i trajtonim sikurse i kishte lënë gjykata: të paqarta rreth pasojave juridike, me theks në domosdoshmërinë e funksionalizimit të institucioneve. Por sot, edhe ai afat i ‘paqartë’ është tejkaluar, ndërsa seanca është thirrur për 9 shtator”.
Këtu, vëren ajo, “nuk kemi më vetëm një interpretim ‘elastik’ të Kushtetutës”. “Kemi diçka edhe më problematike: mosrespektimin madje edhe të kufirit që vetë e ke zgjedhur pasi ke tejkaluar kufirin kushtetues”.
“Është vështirë të kërkosh seriozitet institucional nga të tjerët kur as rregullit që e ke përcaktuar vetë nuk i përmbahesh. Kjo nuk është më çështje interpretimi juridik. Është çështje e raportit që pushteti zgjedh të ketë me kufijtë që ia vendos Kushtetuta”.
Këtë thotë se e ka konsideruar të gabuar dje dhe e konsideron të gabuar edhe sot. “Asnjë marrëveshje politike nuk ma ndryshon këtë bindje”.
“Dallimet e mia me Albin Kurtin janë politike, institucionale dhe, në shumë raste, thellësisht e besa thelbësisht parimore. Ato nuk zhduken sepse në një moment të caktuar ekziston nevoja për një marrëveshje që i jep vendit institucione. Por, njësoj, kundërshtimi ndaj Albin Kurtit nuk mund të bëhet arsye që Kosova të mbetet pa institucione vetëm për t’ia pamundësuar atij një rezultat politik”.
Kica-Xhelili thekson se për të këtë dy gjëra nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën: “mund ta kundërshtosh pushtetin kur cenon rregullat dhe, njëkohësisht, të marrësh përgjegjësi kur vendi ka nevojë për zgjidhje”.
“Dhe kjo është edhe mënyra si e shoh LDK-në sot. Askush prej nesh nuk është më i madh se LDK-ja. Dhe LDK-ja nuk është më e madhe se Republika”, përfundoi ajo.



