Një autobus i kompanisë Pranvera Tours në Kosovë, është ndalur nga autoritetet hungareze, në dalje të autostradës M5 në Balastya, nën dyshimin se përmes tij po futeshin armë ilegale në territorin e Hungarisë.
Për këtë rast, i cili ka ndodhur në fund të qershorit, mediat atje kanë publikuar pamje dhe kanë raportuar se doganierët i kanë kapur disa revole nën ulëset pranë shoferit, që dyshohet se ishin të fshehura me tre qese cigare pa pullë akcize.
Hetuesit hungarezë kanë marrë në pyetje dhe më pas e kanë ndaluar njërin nga shoferët e autobusit, 42-vjeçar, i cili dyshohet për veprën penale të “Keqpërdorimit të armës së zjarrit ose municionit”.
Klankosova.tv ka kontaktuar edhe kompaninë, të cilët e kanë konfirmuar rastin dhe kanë bërë me dije se rasti lidhet me një rrjet të organizuar, që sipas tyre, cak kanë pasur edhe kompani të tjera.
Bile, ata thonë se rast është hapur edhe në Kosovë.
“Po rasti ka ndodhur me 24.06 në Hungari ku pas kontrollës janë gjetur në autobus 6 boksa cigare dhe 4 armë pas kontrollit autobusi dhe njëri shofer kanë vazhduar rrugën dhe tjetri shofer është ndaluar nga policia. Rasti është hapur edhe në Kosovë menjëherë nga ne si kompani dhe hetimet janë duke vazhduar pasi që vetëm në atë javë në 4 kompani është tentuar të futen armët nga një rrjet i organizuar në bagazhe në dritare dhe në autobus kaq dimë për momentin policia e Kosovës është e njoftuar për këtë rast menjëherë me datën 25 në mëngjes.” – tha për Klanin menaxheri i kompanisë.





